Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Legjenda e futbollit spanjoll, Iker Casillas, ka ngritur padi ndaj ish-klubit të tij, FC Porto, duke kërkuar 2.5 milionë euro dëmshpërblim për pasojat e atakut në zemër që pësoi gjatë një seance stërvitore në maj të vitit 2019.
Shtatë vjet pas incidentit që i dha fund karrierës së tij si futbollist profesionist, Casillas pretendon se problemi shëndetësor ishte pasojë e një aksidenti në punë të shkaktuar nga mbingarkesa fizike. Në seancën gjyqësore, ish-portieri deklaroi se jeta e tij ka ndryshuar rrënjësisht, duke theksuar se nuk mund të vrapojë më normalisht dhe se aktivitetet fizike i ka të kufizuara.
Nga ana tjetër, mjeku i atëhershëm i Portos, Nelson Puga, ka kundërshtuar pretendimet e Casillas, duke deklaruar se gjendja e tij ishte stabilizuar dhe se stërvitja nuk kishte lidhje me problemin kardiak që e detyroi të pensionohej.
Kompania e sigurimeve Fidelidade i ka paguar tashmë ish-portierit 1.5 milionë euro si kompensim maksimal për aksident në punë, ndërsa Porto thekson se i ka paguar të gjitha detyrimet financiare gjatë periudhës së rikuperimit. Për këtë arsye, si klubi ashtu edhe kompania e sigurimeve refuzojnë çdo pagesë shtesë.
Tani mbetet në dorën e gjykatës portugeze të vendosë nëse Casillas ka të drejtë të përfitojë kompensim shtesë për paaftësi të përhershme profesionale. Shuma që ai kërkon, 2.5 milionë euro, përfaqëson rreth 70 për qind të pagës që do të kishte përfituar deri në përfundimin e kontratës së tij me Porton në vitin 2021.