Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protestë sot në ora 13:00 para Kuvendit të Kosovës, duke kundërshtuar ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të cilën e cilësojnë si të pasaktë dhe fyese.
Sipas tyre, ekspozita tenton të relativizojë krimet serbe dhe të shtrembërojë historinë e luftës. Përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, deklaroi se ajo përmban shpifje dhe cenon sakrificën e viktimave dhe dëshmorëve, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës.
Mbështetje për protestën kanë shprehur edhe Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si reagim të drejtë në mbrojtje të dinjitetit të viktimave dhe të vërtetës së luftës. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërimin e historisë së luftës çlirimtare.