Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ministria e Mjedisit ka bërë të ditur se gjatë këtij mandati do të fokusohet në hartimin dhe zbatimin e gjashtë projektligjeve që synojnë mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Në mesin e tyre përfshihen projektligje për mbeturinat, mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës.
Njohës të fushës vlerësojnë se gjendja mjedisore vazhdon të jetë e rënduar, kryesisht për shkak të deponive ilegale dhe mungesës së menaxhimit adekuat të mbetjeve. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë identifikuar mbi 400 deponi ilegale në vend.
Sipas organizatës EcoZ, qytetarët përballen me mungesë të hapësirave dhe informatave për trajtimin e mbeturinave të vëllimshme, veçanërisht gjatë renovimeve, çka shpesh rezulton me hedhje të pakontrolluar të tyre.
Ambientalistët theksojnë se rreth 500 mijë ton mbeturina deponohen çdo vit, ndërsa deponitë ekzistuese janë të stërmbushura. Një pjesë e konsiderueshme e mbetjeve përfundon në lumenj dhe hapësira të banuara, duke rrezikuar shëndetin publik.
Problem mbetet edhe mungesa e një fabrike funksionale për trajtimin e mbetjeve shtazore. Objekti i ndërtuar në Drenas vazhdon të jetë jofunksional, ndërsa mbetjet e këtij lloji shpesh hidhen në ambiente të hapura.
Pavarësisht përpjekjeve për pastrim dhe vetëdijesim, ekspertët vlerësojnë se zbatimi efektiv i kornizës ligjore do të jetë vendimtar për përmirësimin e situatës në terren.