Në Kuvendin e Rregullt Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të mbajtur sot në hotelin Emerald, Agim Ademi mori mbështetjen unanime të delegatëve dhe u rizgjodh president i FFK-së për mandatin e ri katërvjeçar. Nga 52 delegatë të pranishëm, të gjithë votuan pro rizgjedhjes së tij.
Pas votimit, Ademi falënderoi delegatët për besimin dhe theksoi rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit në udhëheqjen e futbollit kosovar:
“Vota juaj është vlerësim i punës së bërë bashkërisht dhe përkrahje për të ardhmen.”
“Pozita e presidentit është përgjegjësi dhe detyrë, të cilën do ta ushtroj me përkushtim maksimal.”
“FFK përfaqëson shtetin në arenën ndërkombëtare, prandaj duhet të jemi më transparentë dhe më të përgjegjshëm.”
Ai shtoi se ky Kuvend i unifikuar është dëshmi e besimit ndaj tij dhe institucionit të futbollit, duke shpresuar që futbolli i Kosovës të ngjitet gjithnjë e më lart në vitet e ardhshme.
Rizgjedhja e Ademit konfirmon vazhdimësinë e udhëheqjes së tij në futbollin kosovar, me fokus në zhvillim, transparencë dhe përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare.