Mungesa e hekurit është një nga problemet më të zakonshme ushqimore dhe metabolike, pasi hekuri është mineral kyç për prodhimin e hemoglobinës që transporton oksigjenin në gjak. Kur nivelet e tij bien, trupi fillon të japë alarme që shpesh ne i injorojmë. Simptomat klasike përfshijnë lodhje kronike, dobësi, gulçim edhe gjatë aktiviteteve të lehta, lëkurë të zbehtë, duar e këmbë të ftohta, rrahje të shpejta zemre dhe marramendje. Këto shenja lidhen drejtpërdrejt me mungesën e oksigjenit në inde dhe organe.
Megjithatë, ka edhe simptoma më “të fshehta” që shpesh kalojnë pa u vënë re: çrregullime gjumi, irritim dhe vështirësi në përqendrim, neps për substanca jo ushqimore (pica), dhimbje koke, rënia e flokëve, thonj të brishtë ose me formë lugëzore, si dhe sindroma e këmbës së shqetësuar. Në faza të avancuara, mungesa e hekurit mund të shkaktojë dhimbje gjoksi, gulçim edhe në pushim dhe marramendje të fortë, duke kërkuar vlerësim të menjëhershëm mjekësor. Diagnostikimi bëhet përmes analizave të gjakut si matja e hemoglobinës dhe ferritinës. Prandaj, vëzhgimi i këtyre shenjave dhe konsultimi me mjekun janë hapi i parë për të parandaluar komplikimet e anemisë.