Pentagoni ka njoftuar se do të integrojë chatbotin e inteligjencës artificiale Grok, në pronësi të Elon Musk, në rrjetin e tij ushtarak, krahas sistemeve gjeneruese të Google. Ministri i mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se shumë shpejt modelet kryesore të AI-së do të jenë të pranishme në çdo rrjet të klasifikuar dhe jo të klasifikuar brenda departamentit.
Ky vendim vjen pas polemikave globale që Grok shkaktoi ditët e fundit, pasi gjeneroi imazhe ‘deepfake’ me përmbajtje seksualizuar pa pëlqimin e personave të përfshirë. Për këtë arsye, Malajzia dhe Indonezia kanë bllokuar qasjen në platformë, ndërsa autoritetet britanike kanë nisur një hetim.
Sipas Hegseth, Grok do të vendoset në përdorim brenda këtij muaji dhe do të ketë qasje në të dhënat relevante nga sistemet IT dhe bazat e inteligjencës ushtarake. Qasja e tij ndryshon nga administrata e mëparshme amerikane, e cila paralajmëroi për rreziqet e abuzimit të AI-së, sidomos në fushat e mbikëqyrjes masive, cyber‑sulmeve dhe sistemeve autonome të armatimit.