Hilary Duff dhe bashkëshorti i saj, Matthew Koma, kanë festuar përvjetorin e gjashtë të martesës, duke ndarë momente romantike dhe humoristike në rrjetet sociale – dhe njëkohësisht duke iu kundërpërgjigjur skeptikëve që dikur dyshonin në lidhjen e tyre.
Koma publikoi një foto nga dita e dasmës së tyre dhe shkroi: “6 vjet me gruan time. Dhe thanë se nuk do t’ia dilnim. Të gjithë thanë ‘nuk do t’ia dilnim’.” Postimi u shpërnda edhe nga Duff në InstaStory.
Me humorin e tij karakteristik, Koma e krahasoi martesën me një përvojë nostalgjike:
“Të jem i martuar me ty është si të hash Taco Bell në vitet ’90. Nuk e di kurrë se çfarë do të marrësh, por përbërësit janë kryesisht të njëjtë dhe euforia ia kalon shqetësimit të barkut. Dhe gjithmonë dukesh bukur”, shkruan DailyMail.
Çifti ka dy vajza, Banks dhe Mae, si dhe një djalë, Townes. Duff është gjithashtu nënë e Lucas (13 vjeç) nga martesa e saj e mëparshme me Mike Comrie.
Nga ana e saj, aktorja dhe këngëtarja e shënoi përvjetorin me një videomontazh nga dita e dasmës dhe momente të tjera familjare, të shoqëruar me këngën “Grow Old With You” të Adam Sandler, duke shkruar thjesht: “6 vjet në përjetësi.”