Ceremonia e sivjetshme e Best of Swiss Apps 2025, një nga ngjarjet më të rëndësishme në industrinë e teknologjisë zvicerane, ka përfunduar duke vlerësuar kompanitë dhe projektet më inovative të vitit.
Ndër emrat që tërhoqën vëmendjen ishte Cybee.ai, startup me origjinë nga Kosova, i cili u rendit në “Hall of Fame” të këtij konkursi prestigjioz.
I themeluar nga Kristian Kabashi dhe Hekuran Doli, Cybee.ai u veçua për qasjen e saj të avancuar në sigurinë kibernetike dhe automatizimin e përputhshmërisë (compliance automation) për bizneset.
Platforma e tyre inteligjente ndihmon organizatat të menaxhojnë standardet e sigurisë dhe të identifikojnë dobësitë në kohë reale përmes inteligjencës artificiale, duke kontribuar në rritjen e sigurisë digjitale dhe efikasitetit operacional.
“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme kur një projekt i krijuar me përkushtim nga Kosova arrin të vlerësohet në mesin e më të mirëve në Zvicër. Ky rezultat dëshmon talentin e të rinjve tanë dhe mundësitë që lindin kur teknologjia bashkon njerëz me vizion përtej kufijve”, u shpreh Kristian Kabashi.
Ky sukses e vendos Cybee.ai ndër emrat që po kontribuojnë në mënyrë konkrete në afirmimin e inovacionit nga Kosova në skenën ndërkombëtare të teknologjisë.