Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Një ekip studiuesish nga University of Pennsylvania dhe University of Alberta ka nisur një projekt të veçantë për të kuptuar më mirë se si zakonet e përditshme – si ushqimi, gjumi, aktiviteti fizik dhe marrëdhëniet shoqërore – ndikojnë në mirëqenien e njerëzve.
Studimi, që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, kërkon pjesëmarrës që të plotësojnë një kuiz të shkurtër me vetëm dy pyetje në ditë, për 30 ditë rresht. Pyetjet fokusohen në njohuritë dhe zakonet që lidhen me një stil jetese të shëndetshëm.
“Ky është një mundësi për njerëzit që të bëhen pjesë e kërkimit shkencor dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në mënyrën si e kuptojmë sjelljen njerëzore,” tha Dr. Katie Mehr, profesoreshë në University of Alberta. Sipas saj, rezultatet do të publikohen pas përfundimit të studimit dhe do të ndihmojnë njerëzit të kuptojnë më mirë se cilat zakone e përmirësojnë jetën e përditshme.
Edhe pse projekti është i kufizuar për qytetarët amerikanë, ekspertët theksojnë se ide të tilla mund të ishin shumë të dobishme edhe në vende si Kosova, ku shumë njerëz përballen me mungesë aktiviteti fizik, stres të lartë dhe zakone jo të shëndetshme të ushqyerjes.
Studime të ngjashme do të mund të ndihmonin në ndërtimin e një kulture më të vetëdijshme për shëndetin dhe kujdesin ndaj vetes.
Sipas Dr. Katy Milkman nga Wharton School, ky studim është një mundësi që njerëzit të ndihen si “bashkëpunëtorë të shkencës”. “Ne mund të mësojmë shumë më shumë, nëse njerëzit përfshihen vetë në kërkimin shkencor,” tha ajo për CNN.