Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Kompania SpaceX e Elon Musk ka njoftuar se ka çaktivizuar më shumë se 2,500 pajisje Starlink që po përdorëshin nga rrjete të mëdha mashtrimi online në Mianmar, në zona të njohura për mungesë kontrolli ligjor.
Zëvendëspresidentja e operacioneve të biznesit në Starlink, Lauren Dreyer, tha se kompania bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese në mbarë botën për të identifikuar dhe ndaluar shkeljet e përdorimit të shërbimit. “Në rastet kur zbulojmë abuzime, marrim masa të menjëhershme,” ka deklaruar ajo në një postim në platformën X.
Raportet ndërkombëtare tregojnë se rreth 30 komplekse të mëdha mashtrimi veprojnë përgjatë kufirit mes Mianmarit dhe Tajlandës, ku mijëra persona mbahen kundër vullnetit të tyre dhe detyrohen të kryejnë mashtrime financiare ndaj viktimave nga e gjithë bota, përfshirë SHBA-në.
Këto qendra përdorin teknologji të avancuara, përfshirë rrjetet satelitore të Starlink, për të siguruar lidhje të qëndrueshme interneti në zona të izoluara. Megjithatë, heqja nga funksioni e pajisjeve Starlink ka shkaktuar ndërprerje të menjëhershme në disa prej këtyre rrjeteve.
Sipas raportit të Agjencisë Australiane të Politikave Strategjike, këto komplekse mashtrimi gjenerojnë miliarda dollarë çdo vit, ndërsa shumë nga “punëtorët” janë viktima të trafikimit njerëzor.
Veprimi i SpaceX vjen në një kohë kur industria globale e mashtrimeve online po përhapet me ritme të frikshme, duke shfrytëzuar inteligjencën artificiale dhe tregjet e kriptovalutave për të zhdukur gjurmët financiare.
Ekspertët e krimit ndërkombëtar theksojnë se ndërhyrja e SpaceX është një hap i rëndësishëm, por paralajmërojnë se shumë qendra mashtrimi vazhdojnë të operojnë lirshëm në rajon, të mbrojtura nga korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit.