Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Udhëzuesi global i udhëtimeve, Time Out, ka publikuar listën e tij me lagjet më interesante dhe të gjalla në botë për vitin 2025. Në këtë edicion janë përzgjedhur 39 destinacione, të vlerësuara sipas kulturës, komunitetit, jetueshmërisë, ushqimit, pijes dhe atmosferës unike që ofrojnë.
Jimbōchō në Tokio, Japoni, është shpallur lagjja më “cool” e këtij viti. Kjo zonë është e njohur si “nirvana e lexuesve”, me rreth 130 librari të librave të vjetër, kafe tradicionale dhe restorante me curry.
Në vendin e dytë renditet Borgerhout në Antwerp, Belgjikë, një qendër kreative me galeri, hapësira arti dhe ambiente gastronomike. Barra Funda në São Paulo, Brazil, zë vendin e tretë falë energjisë kulturore dhe trashëgimisë industriale.
Top pesëshen e plotësojnë Camberwell në Londër, Mbretëri e Bashkuar, me një atmosferë rinore dhe komunitet të larmishëm, si dhe Avondale në Çikago, SHBA, i vlerësuar për skenën muzikore, baret e verës dhe bizneset e vogla unike.
Sipas Time Out, lista e këtij viti tregon se lagjet nuk përcaktohen vetëm nga atraksionet turistike, por mbi të gjitha nga komuniteti lokal që u jep shpirt e identitet.