Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Një formë e re mashtrimi po përhapet në rrjetet sociale, duke vënë në shënjestër qytetarët shqiptarë. Bëhet fjalë për një lojë që quhet “Rruga e pulës”, e cila qarkullon kryesisht në TikTok dhe Telegram.
Skema funksionon duke i ftuar qytetarët të luajnë lojën me premtimin se do të fitojnë para. Pasi arrijnë fitime “virtuale”, atyre u kërkohen të dhënat bankare me arsyetimin se aty do t’u transferohen paratë.
Ekspertja e sigurisë kibernetike, Nadia Elbasani, theksoi se ky mashtrim është edhe më i rrezikshëm se skemat e fundit piramidale me kriptovaluta. Sipas saj, arsyeja është se industria e “gaming”-ut perceptohet si më e afërt dhe e kuptueshme për qytetarët, duke rritur gjasat që njerëzit të bien pre e kësaj skeme.
“Luajtja e një loje online dhe dhënia e të dhënave personale e bankare me pretendimin se do fitosh para është një nga format më të rrezikshme të mashtrimit të ardhshëm,” tha Elbasani.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe autoriteteve që të marrin masa të menjëhershme, duke paralajmëruar se mashtrimet po përshtaten shpejt me ndryshimet teknologjike dhe sociale.
Në fund, ekspertët theksojnë se joshja për fitime të shpejta është “mikrobi” që vazhdon të ushqejë mashtrimet ndër vite, ndërsa viktimat mbeten gjithmonë qytetarët e pambrojtur.