Reperi i njohur amerikan Snoop Dogg ka shprehur pakënaqësinë e tij për përfshirjen e personazheve dhe historive LGBTQ+ në filmat e animuar për fëmijë.
Gjatë një interviste në podcast-in It’s Giving, 53-vjeçari tregoi një përvojë personale teksa shikonte filmin e animuar të vitit 2022 Lightyear, ku shfaqet një çift lesbik që mirëpret një fëmijë.
“Nipi im më pyeti: ‘Papa Snoop? Si mund të ketë një bebe një grua me një grua?’... Nuk kisha përgjigje,” tha reperi, duke shtuar se ndjeu vështirësi për t’i shpjeguar situatën një fëmije të vogël.
Ai theksoi se nuk është kundër temës në vetvete, por mendon se përfshirja e tillë në filmat për fëmijë i vendos prindërit e gjyshërit në situata të ndërlikuara, pasi fëmijët ngrenë pyetje për të cilat të rriturit shpesh nuk kanë përgjigje.
Lightyear bëri bujë në vitin 2022 pasi ishte filmi i parë i Pixar-it që përfshiu një puthje mes të njëjtës gjini, çka çoi në ndalimin e tij në disa vende të Lindjes së Mesme.