Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Administrata e Donald Trump ka ndërmarrë një hap drastik ndaj Universitetit të Harvardit, duke i revokuar këtij institucioni të drejtën për të pranuar studentë ndërkombëtarë për vitin akademik 2025–2026. Vendimi është bërë publik nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila shkroi në platformën X se Harvardi ka humbur certifikimin për programin e studentëve të huaj (SEVP), për shkak të “mosrespektimit të ligjit”.
Ky veprim i paprecedentë pritet të ndikojë mijëra studentë nga mbi 140 vende të botës që aktualisht studiojnë në Harvard. Sipas të dhënave të fundit, më shumë se 6,700 studentë ndërkombëtarë përbëjnë rreth 27% të numrit të përgjithshëm të studentëve në këtë universitet.
Harvardi e ka quajtur vendimin “të paligjshëm” dhe si një veprim hakmarrës që mund të dëmtojë seriozisht misionin akademik dhe kërkimor të universitetit. Në një deklaratë zyrtare, përfaqësues të universitetit shprehën shqetësim të thellë për pasojat që do të ketë kjo masë ndaj studentëve, veçanërisht atyre që janë pranë diplomimit.
Kjo përplasje është pjesë e një tensioni më të gjerë mes Harvardit dhe administratës së Trumpit, e cila ka nisur hetime ndaj dhjetëra universiteteve amerikane dhe ka ushtruar presion për të ndryshuar praktikat e pranimit, punësimit dhe mësimdhënies në emër të luftës kundër antisemitizmit.
Në letrën zyrtare, Harvardi ka afat 72 orë për të dorëzuar dokumentacion të detajuar mbi sjelljen e studentëve ndërkombëtarë, përfshirë materiale audio dhe video që lidhen me aktivitete të dyshuara si të “paligjshme” ose “të rrezikshme”.
Nga ana tjetër, një gjykatës federal në Kaliforni ka bllokuar përkohësisht zbatimin e këtij vendimi, duke i dhënë kohë institucioneve për të ndjekur rrugën ligjore.
Studentët ndërkombëtarë shprehen të zhgënjyer dhe të shqetësuar. “Na kanë trajtuar si letra bixhozi në një betejë politike,” tha për BBC-në Leo Gerdén, student nga Suedia, i cili ndodhet vetëm pak ditë larg diplomimit.
Ky zhvillim rrezikon jo vetëm të ardhmen e shumë studentëve por edhe reputacionin e SHBA-ve si një destinacion kryesor për arsimin e lartë ndërkombëtar. Harvard, nga ana e tij, ka paralajmëruar përballje ligjore për të mbrojtur studentët e tij dhe të drejtën për liri akademike.