Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në konferencën vjetore të zhvilluesve I/O, Google prezantoi disa nga përditësimet më të rëndësishme që lidhen me integrimin e inteligjencës artificiale në shërbimet e saj.
Një nga risitë kryesore ishte integrimi i chatbot-it Gemini në shfletuesin Google. Ky sistem do të ofrojë përgjigje të personalizuara, më të thella dhe më të zgjuara, duke përfshirë aftësi për të gjeneruar grafikë në përgjigje të pyetjeve financiare apo sportive.
Google gjithashtu prezantoi Flow, një mjet që përdor teknologjinë Veo 3 dhe Imagen 4 për të krijuar video nga teksti ose imazhet. Flow i jep përdoruesve mundësinë të krijojnë video të personalizuara, duke kombinuar skena, efekte zanore dhe imazhe në lëvizje – duke i hapur derën një publiku më të gjerë për krijim filmi profesional.
U prezantua edhe Gemini 1.5 Pro, një version i avancuar i AI-së, që sjell përmirësime të mëdha në arsyetim, programim dhe zgjidhje të problemeve komplekse. Përmes funksionit të ri “Deep Think”, ky sistem ofron ndihmë të thelluar në pyetje matematikore dhe teknike.
Në Gmail dhe Google Drive, inteligjenca artificiale do të ndihmojë përdoruesit të krijojnë emaile me përmbajtje të sugjeruar automatikisht, bazuar në dokumentet dhe emailet që kanë.
Një tjetër risi është mundësia për të provuar virtualisht rrobat, përmes një fotoje të vetes. Kjo veçori përdor një model të AI që kupton trupin e njeriut dhe mënyrën se si përshtaten veshjet në trup të ndryshëm – duke e bërë blerjen online më të saktë.
Projekti Starline i Google po transformohet në platformën Google Beam, që e shndërron komunikimin me video nga 2D në 3D me cilësi të lartë dhe përvojë më realiste. Ndërkohë, Google Meet po integrohet me një sistem për përkthim automatik të bisedave në kohë reale – një hap drejt komunikimit global pa barriera gjuhësore.
Përmes këtyre zhvillimeve, Google synon të revolucionarizojë mënyrën si kërkojmë, komunikojmë dhe krijojmë përmbajtje në internet.