Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi në një postim në rrjetin Truth Social se ka urdhëruar Byronë e Burgjeve, në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe Sigurinë Kombëtare, të rindërtojnë dhe rihapin burgun famëkeq Alcatraz, për të strehuar "kriminelët më të rrezikshëm dhe më të dhunshëm të Amerikës".
"Ne nuk do të jemi më peng i kriminelëve, banditëve dhe gjyqtarëve që kanë frikë të bëjnë punën e tyre", shkroi ai. “Rihapja e Alcatraz-it do të shërbejë si simbol i ligjit, rendit dhe DREJTËSISË.”
Megjithatë, gjatë kthimit në Shtëpinë e Bardhë të dielën, Trump e quajti këtë “thjesht një ide” të frymëzuar nga gjyqtarët që, sipas tij, insistojnë që çdo migrant i paligjshëm të ketë të drejtën për një proces gjyqësor. “Kjo do të nënkuptonte miliona gjykime,” tha ai.
Alcatraz, që ndodhet në një ishull afër San Franciskos, funksionoi si burg federal deri në vitin 1963 kur u mbyll për shkak të kostove të larta. Sot, ajo menaxhohet nga Shërbimi i Parqeve Kombëtare si një atraksion turistik që mirëpret mbi 1.2 milionë vizitorë në vit.
Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cilësoi këtë ide si "jo serioze", duke theksuar se Alcatraz është një monument historik kombëtar që nuk duhet përdorur për qëllime politike.