Në të kaluarën, kafeja ishte e lidhur me rreziqe të shëndetit. Por, kërkimet e dekadës së fundit tregojnë se konsumimi i kafesë mund të jetë në fakt i dobishëm për shëndetin tuaj.
Kafeina është droga psikoaktive më e njohur në botë. Njerëzit e kanë konsumuar kafenë, një burim natyral i kafeinës, për shekuj me radhë. Megjithatë, për dekada me radhë ka pasur mesazhe të ndryshme për ndikimin e saj në shëndet.
“Tradicionalisht, kafeja shihej si diçka negative,” thotë Marc Gunter, profesor i epidemiologjisë së kancerit në Imperial College London. “Kërkimet e viteve 1980-1990 sugjeronin një rrezik më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare për ata që pinin kafe, por këto rezultate kanë ndryshuar me kalimin e kohës.”
Hulumtimet më të fundit kanë analizuar të dhënat nga qindra mijëra konsumues të kafesë. Por çfarë tregojnë rezultatet – dhe a janë përfitimet e kafesë më të mëdha sesa rreziqet?
Përfitimet dhe rreziqet e mundshme të kafesë
Një shqetësim i mëparshëm ishte lidhja e kafesë me rrezikun e kancerit për shkak të akrilamidit, një substancë kancerogjene. Megjithatë, në vitin 2016, IARC deklaroi se kafeja nuk është kancerogjene, përveç nëse konsumohet shumë e nxehtë (mbi 65°C).
Studime të ndryshme kanë treguar se konsumimi i kafesë mund të ulë rrezikun e disa sëmundjeve, përfshirë kancerin, sëmundjet kardiovaskulare dhe goditjet në tru. Për shembull, një studim i vitit 2017 me gjysmë milioni pjesëmarrës në Evropë zbuloi një lidhje mes konsumit të kafesë dhe një rreziku më të ulët të vdekjeve nga këto sëmundje.
Kafeja dhe shtatzënia
Për gratë shtatzëna, udhëzimet mbi kafeinën janë të paqarta. Disa studime sugjerojnë një lidhje midis konsumimit të kafesë dhe rrezikut të abortit spontan, ndërsa të tjera theksojnë se faktorë si mosha dhe pirja e duhanit mund të ndikojnë në këto rezultate. Sipas një rishikimi, deri në dy filxhanë kafe në ditë nuk duket të kenë ndikim negativ.
Varësia nga kafeina
Edhe pse kafeina mund të ndikojë në përqendrimin dhe humorin, toleranca ndaj saj zhvillohet me konsum të rregullt. Sidoqoftë, heqja e saj mund të shkaktojë lodhje dhe dhimbje koke, simptoma që zakonisht zgjasin nga tre ditë deri në një javë.
Në fund, mënyra se si përgatitet kafeja nuk duket të ndryshojë ndjeshëm përfitimet e saj, megjithëse kafetë e bluara kanë nivele më të larta të përbërësve bioaktivë.
Nëse pini kafe, veproni me masë dhe kujdes ndaj temperaturës dhe konsumit të saj gjatë shtatzënisë./radioplus/