Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
FDA-ja ka ndaluar përfundimisht ngjyruesin sintetik Red Nr. 3, i cili është lidhur me raste kanceri te kafshët gjatë testeve laboratorike. Ky ngjyrues, që përdoret në mijëra produkte si karamele, drithëra dhe pije, do të hiqet nga produktet ushqimore deri në janar 2027 dhe nga suplementet apo medikamentet e tretshme deri në vitin 2028.
Ky vendim mbyll një boshllëk rregullator që ka ekzistuar prej kohësh, pasi Red Nr. 3 ishte ndaluar në kozmetikë që në vitin 1990, për shkak të ligjeve që ndalojnë shtesat që shkaktojnë kancer. Aktivistët e kanë cilësuar këtë vendim si një hap të rëndësishëm drejt një rregullimi më të sigurt të ushqimeve, duke thënë se ishte një veprim i vonuar, por i domosdoshëm.
Po ashtu, ky vendim tregon se presioni i konsumatorëve për të larguar shtesat e dëmshme nga zinxhiri ushqimor po jep rezultate. Prodhuesit e ushqimeve kanë premtuar se do të respektojnë këto rregulla, ndërsa ekspertët shpresojnë që kjo të sjellë një vëmendje më të madhe ndaj ngjyruesve të tjerë artificialë që ende janë në përdorim./radioplus/