Meghan Markle dhe Princ Harry kanë treguar solidaritet dhe mbështetje ndaj komunitetit të Kalifornisë së Jugut, i cili po përballet me zjarre masive që kanë përfshirë Los Angeles që nga e marta, 7 janar.
Zjarret, përfshirë atë të Palisades në zonën e Malibu-t dhe zjarrin Eaton në Pasadena, kanë detyruar mbi 100,000 banorë të evakuohen.
Aktualisht, këto zjarre janë jashtë kontrollit dhe shkalla e dëmeve ende nuk është vlerësuar plotësisht.
Duka dhe Dukesha e Sussex-it kanë hapur dyert e shtëpisë së tyre në Montecito për miqtë dhe të afërmit që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Montecito ndodhet rreth 145 kilometra në veri të Los Angeles dhe, për fat të mirë, nuk është përfshirë nga urdhërat e evakuimit.
Përveç ndihmës së drejtpërdrejtë për të afërmit, çifti po punon me fondacionin e tyre, Archewell Foundation, për të siguruar mbështetje të qëndrueshme për komunitetin e prekur.