Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Një shall me të cilin një grua mbështolli barkun për të fshehur shtatzëninë në muajin e gjashtë dhe një xhaketë që një grua tjetër mbante veshur ditën e dhunimit, janë vetëm disa nga dëshmitë e dhimbshme të ekspozuara në muzeun e parë të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Muzeu “Çast” u hap të martën pasdite në Prishtinë, duke sjellë në pah rrëfimet e pa dëgjuara të rreth 20 mijë grave dhe burrave të dhunuar nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Kuratorja e muzeut, Eliza Hoxha, theksoi rëndësinë e kësaj hapësire për të nxitur reflektimin dhe njohjen e dhimbjes që kanë përjetuar të mbijetuarit.
“Pse ‘Çast’? Në fakt, jeta jonë është një grumbull momentesh. Ka qenë një moment që këtyre të mbijetuarve u ka ndryshuar jetën përgjithmonë gjatë luftës së fundit në Kosovë,” tha Hoxha.
Ajo shtoi se shoqëria nuk ka bërë sa duhet për t’i integruar të mbijetuarit dhe për të njohur vuajtjet e tyre.
“Nuk ua kemi njohur dhimbjen dhe nuk u kemi dhënë mundësi mjaftueshëm që ato të marrin jetën në duart e tyre.”
Ish-presidentja Atifete Jahjaga, themeluese e Fondacionit Jahjaga dhe ideatore e muzeut, vuri theksin te roli i muzeut si një dëshmi e fuqishme e dhimbjes dhe rezistencës.
“Muzeu që inaugurojmë sot është një dëshmi e jetës dhe vuajtjeve të atyre që për një kohë të gjatë janë lënë në harresë. Ata nuk ishin viktima, ata janë heronjtë e heshtur të historisë sonë, që sot më në fund gjejnë vendin e merituar.”
Ajo shprehu keqardhjen për heshtjen e gjatë të këtyre rrëfimeve: “Zemra më dhemb kur mendoj që për kaq shumë kohë rrëfimet e të mbijetuarve kanë mbetur të heshtur.”
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, premtoi mbështetje institucionale për të mbijetuarit.
“Ky shndërrohet në një monument edhe të kujtesës edhe të rezistencës. Përkushtimi institucional do të vazhdojë të jetë aty në mbështetje të kësaj kauze dhe këtyre njerëzve që kanë nevojë për mbështetjen e të gjithë neve.”
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, nënvizoi se lufta për të mbijetuarit e dhunës seksuale vazhdon ende.
“Lufta në Kosovë ka përfunduar 25 vjet më parë, mirëpo vragat e saj mbeten. Shumica e të mbijetuarve ende nuk flasin për atë që kanë përjetuar. Me këtë muze, Kosova po merr një hap jetësor drejt konfrontimit me të shkuarën dhe promovimit të pajtimit.”
Në përfundim të ceremonisë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ky muze është një thirrje për reflektim.
“Ky vend na fton të reflektojmë për të kaluarën tonë të dhimbshme dhe të njohim të vërtetën e mbijetuarve.”
Muzeu “Çast” është rezultat i bashkëpunimit midis Fondacionit Jahjaga dhe Ambasadës Gjermane në Kosovë.
Përmes rrëfimeve personale dhe dëshmive të mbledhura, ai sjell në kujtesë sakrificat dhe vuajtjet e mijëra të mbijetuarve, duke kujtuar se deri më tani, për këto krime është dënuar vetëm një person nga gjykatat vendore./Telegrafi/