Albumi “The Tortured Poets Department” i këngëtares së hitit “Bad Blood”, Taylor Swift, ka marrë pozitën e parë në top-lista për të 14-n herë, duke lënë në pozitën e dytë projektin e fundit muzikor “Vultures 2” të reperit Kanye West, të cilin e ka në bashkëpunim me Ty Dolla $ign.
Albumi i 11-të i Swiftit, i cili u lansua në muajin prill, kalkulohet të jetë shitur në rreth 142 mijë njësi, ndërkohë që West ka mbledhur 107 mijë, ka raportuar Billboard.
Reperi ka lansuar 11 albume të cilat kanë arritur vendin e parë. Tani “Voltures 2” u bë i 13-i që shkon në top dyshe.
Adhuruesit e Swiftit kanë festuar nëpër rrjete sociale pasi ajo mundi Westin, duke e quajtur këngëtaren “legjendë”.
“Është mirë të shohësh karmën duke vepruar”, ka shkruar një ndër adhuruesit.
“Taylor Swift prapë ia mbaroi karrierën Kanye Westit”, ka shkruar një tjetër.
Rivaliteti në mes të Swiftit dhe Westit, ka filluar në vitin 2009 kur pasi Swift kishte fituar çmimin MTV VMA për videon më të mirë në kategorinë e femrave, West doli në skenë duke i thënë se “Beyonce ka videon më të mirë të të gjitha kohëve dhe ajo e meriton këtë çmim”.
Më vonë, West e fyen Swiftin në këngën e tij “Famous”, duke thënë “unë e kam bërë të famshme”.
Pasi 34 vjeçja reagoi ndaj tekstit të Westit, ylli televiziv Kim Kardashian, e cila në atë kohë ishte gruaja e Westit, iu bashkua skandalit duke pretenduar se West kishte “ndjekur protokollin” pasi “kishte marrë aprovim” nga Swift para se ta lansonte këngën.
Në dhjetor të vitit 2023, Swift rinisi përplasjen pasi u shpall “Personi i vitit” nga revista prestigjioze TIME.
“Ajo gjë më ka ulur psikologjikisht shumë poshtë, aty ku s’kam qenë asnjëherë më parë. U shpërngula në një vend të panjohur. Nuk kam dalë një vit nga shtëpia që mora me qira. Frikësohesha të pranoja telefonata. I largova shumë njerëz nga jeta ime sepse nuk kisha më besim tek askush. Rashë shumë poshtë me të vërtetë dhe ishte tepër, tepër e vështirë”, ka thënë ajo në intervistën e dhënë për këtë revistë.
Miliarderja më vonë lansoi këngën “thanK you aIMee”, ku i këndon një nëne që e lyen lëkurën me sprej për t'u dukur më e rrezitur, e cila dëshironte “të ishte e vdekur”.
Adhuruesit kishin thënë se shkronjat e mëdha të titullit të kësaj këngë formojnë fjalën “KIM”.
Ndërkohë që Kardashian nuk i është përgjigjur tekstit të këngës së Swiftit, është raportuar se ajo dëshiron t'i jap fund zënkës.