Ylli i njohur i Hollywoodit, Martin Short, ka mohuar spekulimet se ai është në lidhje me aktoren Meryl Street, raporton “CNN”.
Përgjatë bisedës në emisionin e yllit Bill Maher, ai bëri shaka duke i quajtur Short dhe Streep si “çift i fuqishëm”.
“Ne nuk jemi çift, jemi vetëm shokë të ngushtë”, ka thënë Short.
Maher pastaj i sugjeroi se duhet të bëhen çift sepse siç tha ai, “s’ka gjë më të fuqishme në Hollywood se sa të jesh ‘çift i fuqishëm’”.
Streep luan në rolin e Loretta Durkin në serialin “Only Murders in The Building”, në të cilin gjithashtu luan Short bashkë me aktorë të tjerë si Steve Martin e Selena Gomez.
Thashethemet se Short dhe Streep janë në lidhje kanë filluar kur u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve “Golden Globes”. Aty ata u panë duke qëndruar afër njëri-tjetrit.
Short ka qenë i ve që nga viti 2010 kur gruaja e tij Nancy Dolman vdiq nga kanceri.
Ndërsa një përfaqësues i Streep pati thënë vitin e kaluar se ajo ka vite që është ndarë nga burri i saj Don Gummer, me të cilin ka qenë e martuar për 45 vjet.