Reperi me famë botërore, Sean Diddy Combs, i njohur si P.Diddy, është paditur sërish.
Kjo është padia e katërt që vjen në adresë të tij për dhunim seksual, këtë herë të një adoleshenteje në vitin 2003, raporton Reuters.
Paditësja në padinë e fundit u identifikua si Jane Doe, e përshkruar si një nxënëse e shkollës së mesme në kohën kur takoi bashkëpunëtorët e P.Diddyt në një sallon të zonës së Detroitit 20 vjet më parë. Në ankesën e saj thuhet se reperi me bashkëpunëtorë të tij e dërguan atë me një avion privat nga Michigan në zonën e New Yorkut, pastaj e çuan atë në studion e tyre ku P.Diddy dhe dy burra të tjerë e droguan atë dhe i dhanë alkool për të pirë.
Sipas padisë, paditësja më pas u përdhunua në një banjë të studios nga P.Diddy dhe dy burrat e tjerë, njëri pas tjetrit, ndërsa ajo ishte herë e vetëdijshme, herë jo.
Ajo tha se P.Diddy ndenji duke shikuar një ndër përdhunimet e tjera pasi ai kishte mbaruar.
Si provë për të mbështetur pretendimet e saj, padia përfshin disa fotografi që dyshohet se paraqesin P.Diddyn dhe fytyrën e paditëses qëllimisht të mjegulluar, duke pozuar brenda studios së P.Diddyt, duke përfshirë një në të cilën ajo duket të jetë ulur në prehrin e tij, të dy përballë kamerës.
Ankesa, e paraqitur në Gjykatën e Qarkut të SHBA-së në Manhatan, thotë se që atëherë paditësja ka pësuar “vuajtje emocionale ekstreme që ka ndikuar pothuajse në çdo aspekt të jetës së saj dhe marrëdhënieve personale”.
Ylli botëror i repit i ka mohuar këto akuza gjatë të mërkurës.
“Në javët e fundit, jam ulur në heshtje dhe kam parë njerëzit të përpiqen të vrasin karakterin tim. Më lejoni të jem absolutisht i qartë: nuk bëra asnjë nga gjërat e tmerrshme që pretendohen”, ka shkruar P.Diddy.
Njëri nga dy burrat e tjerë që pretendohet se ka përdhunuar paditësen në padinë e fundit kundër P.Diddyt quhet Harve Pierre, një ish-drejtues i lartë në kompaninë “Bad Boy” (që është në pronësi të P.Diddyt). Njeriu i tretë u identifikua në ankesë vetëm si “person i tretë”.
Vetë Pierre u akuzua në një padi të veçantë muajin e kaluar për përdorimin e pozitës së tij autoritare në “Bad Boy për të sulmuar seksualisht një ish-ndihmëse.
Një zëdhënës i “Bad Boy” i tha revistës People muajin e kaluar se kompania po “heton akuzat”.
Akuzuesja e fundit e P.Diddyt tha se ajo zgjodhi të paraqitet pasi pa lajmet e fundit të padive të ngritura kundër P.Diddyt muajin e kaluar nga ish e dashura e tij Cassie Ventura, e cila njihet me emrin Cassie, duke e akuzuar reperin për abuzimi fizik, trafikimi seksual dhe përdhunimi gjatë një dekade.
Ventura dhe Combs, njoftuan të nesërmen se e kishin zgjidhur çështjen në kushte konfidenciale. Avokati i Combs, Ben Brafman, ka thënë atëherë se zgjidhja e padisë nuk ishte “në asnjë mënyrë një pranim i keqbërjes”, dhe se klienti i tij mbajti qëndrimin e tij “totalisht mohues” të pretendimeve të Venturas.
Por Combs u godit me dy padi të tjera mbas disa ditësh, një nga një paditëse e quajtur Joi Dickerson-Neal, e cile e akuzoi rep-artistin për drogim dhe sulm seksual ndërsa ajo ishte studente në Universitetin “Syracuse” në vitin 1991.
Dhe një tjetër grua me emrin Jane Doe (emri i njëjtë sikur paditësja e katërt) e akuzoi atë se e detyroi atë dhe një shoqe në marrëdhënie seksuale jokonsensuale në fillim të viteve 1990.