Ylli i muzikës pop, Madonna, e ka filluar turneun që e feston karrierën e saj muzikore, “Celebration Tour”, me koncertin e parë në arenën O2 të Londrës të shtunë mbrëma. Kjo është performanca e saj e parë prej se u prek nga një infeksion serioz bakterial që e detyroi të hospitalizohet për disa ditë në repartin e kujdesit intensive.
Me të dal në skenë, para fansave të pranishëm këngëtarja 65-vjeçare tha se e ka pasur një vit të çuditshëm, dhe se ajo bashkë me mjetet e saj nuk ishin të sigurt nëse do t’ia dilte të shërohej plotësisht. Madonna tha se arsyeja pse luftoi me të gjitha forcat për t’i mbijetuar këtij problem shëndetësor, ishin fëmijët e saj.
Nata e hapjes së turneut po ashtu e shënoi ditëlindjen e 27-të të vajzës së saj, Lourdes Leon, e cila doli në skenë për ta shoqëruar të ëmën për pak minuta.
Sipas fansave të pranishëm, hapja e turneut ishte një festë e vërtetë. Madonna interpretoi këngë të ndryshme të karrierës së saj 40-vjeçare, përfshirë hitet “Like a Prayer”, “Holiday”, “Vogue”, “La Isla Bonita” dhe të tjerë. Ajo gjithashtu përfshiu këngë të veçanta si, “Die Another Day”, nga filmi i vitit 2002 me të njëjtin emër.
Ndërkaq, gjatë një momenti akustik në koncert, Madonna foli për luftën e vazhdueshme në Lindjen e Mesme.
“Edhe pse zemrat i kemi të thyera, shpirti ynë nuk thyhet dot”, deklaroi këngëtarja, duke shtuar se ajo shpreson për një “vetëdije kolektive për të ndryshuar botën dhe për të sjellë paqe për të gjithë”.
Madonna e ka shtyrë fillimin e turneut në Amerikën Veriore, i cili planifikohej të fillojë më 15 korrik me koncert në Vancouver dhe të përmbyllej më 8 tetor në Las Vegas. Tani, këto koncerte të planifikuara nisin me 13 dhjetor në Brooklyn të New Yorkut.