Këngëtarja amerikane Lizzo është paditur sërish për sjellje të keqe, ngacmim seksual dhe bullizëm. Këtë herë padi erdhi nga disenjatorja Asha Daniels.
Përveç Lizzos, në padi janë përfshirë edhe stafi i saj dhe ekipi i gardërobës. Kjo ka ndodhur pasi që Lizzon e kanë paditur valltarët e turneve të saj.
Daniels pretendon se ishte subjekt i bullizmit si dhe ngacmimeve seksuale e racore në një ambient të pasigurt e të ngarkuar seksualisht në vendin e punës.
Të enjten, avokatët e 35-vjeçares Asha Daniels, disenjatore mode që krijoi veshje për valltarët në turneun e Lizzos, ngritën padi në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit kundër këngëtares dhe anëtarëve të tjerë të ekipit të saj, përfshirë menaxheren e gardërobës, Amanda Nomura, raporton “The Guardian”.
Padia e së enjtes vjen pak më shumë se një muaj pasi disa nga ekipi i vallëzimit në turneun e Lizzos ngritën padi duke e akuzuar këngëtaren për ngacmim seksual dhe bullizëm për peshën, si incidente që kanë ngjarë nga viti 2021 dhe 2023.
“Këto histori sensacionale vijnë nga ish-punonjësit që tashmë kanë pranuar publikisht se u është thënë se sjellja e tyre në turne ishte e papërshtatshme dhe joprofesionale”, kishte thënë Lizzo gjatë gushtit duke mohuar akuzat e valltarëve.
Padia e re, siç raporton NBC-ja, akuzon Nomuran se u referohej interpretuesve si “të trashë”, “të padobishëm” dhe “budallenj”, dhe se i detyroi t’i ndërronin rrobat përpara anëtarëve të ekipit të skenës që kryesisht ishin meshkuj të bardhë, “të cilët shprehnin neveri ndaj tyre”.
Sipas padisë, Daniels pretendon se në një turne në Amsterdam ka dëgjuar Nomuran dhe mbikëqyrës të tjerë “duke diskutuar për punësimin e punonjësve të seksit për veprime të shthurura, ndjekjen e shfaqjeve seksuale dhe blerjen e drogave të forta”, duke shtuar se i ishte bërë presion për t’u bashkuar në këto lloj aktivitetesh.
“Ishte krejtësisht tronditëse... Po dëgjoja këtë grua me ngjyrë në këtë skenë të stërmadhe teksa jepte mesazhe të dashurisë dhe për të tjerët dhe se si të jesh i fortë e i gatshëm për t’u ndihmuar të tjerëve, por në fakt ishte krejtësisht e kundërta e saj çka fliste”, ka thënë Daniels për NBC.
Në përgjigje të padisë, një zëdhënës i Lizzos ka thënë për NBC-në se Ron Zambrano, avokati i Danielsit, po përpiqet “të përulë” një çmim humanitar që Lizzo ka marrë të enjten mbrëma nga “Black Music Action Coalition”.