Vëmendjen e plotë e morën yjet në tapetin e kuq para ceremonisë së ndarjes së çmimeve të MTV-së për videoklipet më të mira. Ngjarja e organizuar në “Prudential Center” të New Jerseyt, sipas “Vogue”, shfaqi talentin e disenjatorëve, në një ndërthurje me artin muzikor.
Ceremonia u udhëhoq nga ylli Nicki Minaj, që arriti në tapetin e kuq e veshur me një fustan nusërie ngjyrë rozë të krijuar nga “Dolce & Gabbana”. Kritikët e modës e quajtën nusja “Barbie”.
Ceremonia pati performanca nga yjet e mirënjohura si Olivia Rodrigo, Sean “Diddy” Combs, Cardi B dhe Megan Thee Stallion e veshur me fustan të zi nga “Brandon Blackwood”.
Gjithashtu performuan edhe yjet si Lil Wayne, Fall Out Boy, Demi Lovato, Future, Karol G, Måneskin, Shakira, dhe Stray Kids. Veshjet e tyre nga kritikët u cilësuan si interesante.
Taylor Swift që dominoi gjatë tërë natës me 9 çmime mbresëlënëse, në tapetin e kuq veshi një fustan të zi që vjen si kreacion tipik nga brendi “Versace”.
SZA pasoi pas Swiftit me 6 nominime dhe Rodrigo, Miley Cyrus, Sam Smith dhe Kim Petras patën nga 5 nominime.
Shakira është gjithashtu fituesja e këtij viti e çmimit “Michael Jackson Video Vanguard Aard”, duke u bërë artistja e parë latino-amerikane e nderuar me këtë çmim. Ajo në tapetin e kuq pati veshje të stilit personifikues nga brendi “Versace” dhe veshja u cilësua lart nga kritikët.
Reperi P.Diddy mori Çmimin “Global Icon”. Ai u shfaq në tapetin e kuq bashkë me nënën Janice Combs. Diddy veshjen tipike të bardhë e kompletoi me rrëmojësen e dhëmbëve që është aksesori personifikues i stilit të tij prej “ikone globale”.
Doja Cat u vesh me rrjetë “merimangash” nga brendi Monse, një veshje krejtësisht e pritshme nga ajo.
Në tapetin e kuq nuk munguan as yjet shqiptare. Këngëtarja me rrënjë nga Kosova, Rita Ora, mori vëmendje me një fustan krejtësisht të zi. Ajo u vesh nga brendi “Rodarte”.
Shqiptarja Bebe Rexha gjithashtu shkëlqeu me fustan të zi, por për dallim nga Rita, ajo i kishte duart e zbuluara dhe nuk mbante dorëza.
E zeza ishte ngjyra dominuese e tapetit të kuq sivjet.
Ekstravaganca muzikore ka një histori të prodhimit të momenteve të paharrueshme të modës, që nga veshja e bardhë me dantellë e Madonës në vitin 1984, deri tek pantallonat e ngjitura ngjyrë vjollcë të Lil Kim në vitin 1999 dhe fustani nga mishi i Lady Gagas në vitin 2010.
Tapeti i kuq MTV VMA është terren klasik i modës që impresionon kritikët që nga fillet e tij.