Superylli latin i muzikës, Marc Anthony, u nderua me yll në shtegun e të famshmëve në Hollywood. Këngëtari ishte i pranishëm në ceremoninë e zbulimit të yllit ku shoqërohej edhe nga miku i tij i kamotshëm, David Beckham.
Anthony shquhet si një nga artistët më me ndikim në muzikën dhe kulturën latine. Vitin e kaluar ai e lansoi albumin e ri “Pa’llá Voy”, i cili erdhi pas atij të vitit 2019, “OPUS”, album ky i cili ia fitoi një çmim “Grammy” në kategorinë “Albumi më i mirë latin”.
“Nuk e meritoj këtë nderim sepse ende kam shumë për të bërë. Ky është vetëm fillimi për mua. Dua ta falënderojë familjen time dhe të gjithë ata njerëz që kanë besuar në mua. Po ndihem shumë mirënjohës. Kur e shikoj familjen time, miqtë e mi, të dashurit e mi, këta janë njerëzit që më kanë formësuar. Këta janë njerëzit që më kanë bërë ky që jam. Ky yll është një simbol i cili më inspiron të vazhdoj ta bëjë këtë punë”.
Superylli i futbollit, David Beckham, foli para të pranishmëve në ceremoni me ç’rast tha se e kishte pëlqyer muzikën e Anthonyt para se ata të bëheshin miq.
“Është e drejtë që jemi këtu për ta festuar punën e tij me një yll në bulevardin e famës në Hollywood. Marc ka arritur shumë, por e di që ky është vetëm fillimi për të. Pasioni i tij për muzikën vetëm sa shkon duke u forcuar. Ai më inspiron me vullnetin, energjinë dhe etikën e jashtëzakonshme të punës.
Nuk mund ta mendoj një person që e Meriton më shumë këtë nderim. Marc të duam shumë, mos ndrysho kurrë sepse je vërtetë një talent i veçantë, por mbi të gjitha je një person i veçantë. Shijoje këtë moment.”
Marc dhe David janë shokë për më shumë se 20 vjet. Këngëtari i hitit “You Sang To Me” tregoi se nuk kishte ide që Beckham do të ishte prezent në ceremoninë e zbulimit të yllit të tij në Los Angeles, sepse fillimisht ai e kishte mashtruar duke i thënë se për shkak të një angazhimi nuk do të mund ta shoqëronte.
Anthony shoqërohej edhe nga bashkëshortja e tij, Nadia Ferreira dhe djemtë, Cristian 22-vjeçar dhe Ryan 19-vjeçar.
Në muajin qershor, çifti e mirëpriti në jetë një fëmijë. Këngëtari është baba edhe i katër fëmijëve, Arianna 29 vjeçe, Chase 28 vjeç, dhe binjakët Emme dhe Maximilian, të cilët i ka me yllin e muzikës dhe filmit, Jennifer Lopez.