Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

U ndanë shpërblimet “BAFTA”

Film  |  21.02.2023 Ora 9:05   

Filmi gjerman “All Quiet on the Western Front” i fitoi shtatë çmime “BAFTA”, përfshirë këtu shpërblimin kryesor “Filmi më i mirë i vitit”, në edicionin e fundit të ceremonisë “British Academy Film Awards” që u mbaj të dielën mbrëma.

Tragjikomedia irlandeze, “The Banshees of Inisherin” dhe filmi biografik, “Elvis”, u shpërblyen në katër kategori secili.

“All Quiet”, një përshkrim i thellë mbi jetën dhe vdekjen në llogoret e Luftës së Parë Botërore, po ashtu ia fitoi Edward Bergerit çmimin “Regjisori më i mirë”. Trofetë e tjerë të filmit përfshinin kategoritë, “Skenari më i mirë i adaptuar”, “Kinematografia më e mirë”, “Muzika më e mire” dhe “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”.

Austin Butler u befasua shumë kur u shpall fitues i çmimit “Aktori më i mirë”, për rolin e tij në filmin “Elvis”. Projekti muzikor i regjisorit, Baz Lurhmann, po ashtu triumfoi në tri kategori tjera më pak të rëndësishme.

Kurse, Cate Blanchett, e fitoi çmimin “Aktorja më e mirë” për performancën e shkëlqyer në dramën, “Tár”. Blanchett tha se ky ishte një vit i jashtëzakonshëm për artistet gra dhe të numërohesh mes tyre është vërtet një ndjesi e veçantë.

Projekti “The Banshees of Inisherin” i regjisorit Martin McDonagh, që e sjell historinë komike të një miqësie të acaruar, u shpall “Filmi më i mirë britanik”. Filmi është xhiruar në Irlandë me një ekip të përbërë në tërësi nga irlandezë, por është financuar nga Britania e Madhe.

Shpërblimet “BAFTA”, të cilat i ndanë Akademia Britanike e Filmit, konsiderohen “Oscari” i Britanisë së Madhe dhe zakonisht projektet e shpërblyera në këtë ceremoni, pritet të triumfojnë edhe në ngjarjen më të madhe të kinematografisë në SHBA, e cila mbahet më 13 mars.

Komedia e çuditshme, “Everything Everywhere All at Once”, që vlerësohet si favorit për t’u shpërblyer me “Oscar”, ishte humbësi i madh i natës duke e fituar vetëm një çmim nga 10 nominimet e tij në “BAFTA”.

Ngjarja e rëndësishme e filmit u mbajt në sallën “Royal Festival Hall” në Londër. Aktori Richard E. Grant ishte prezantues i ceremonisë të së dielës, i ndihmuar në skenë edhe nga prezantuesja televizive, Alison Hammond. Grant bëri shaka në fjalimin e tij teksa e përmendi incidentin e famshëm ndërmjet aktorëve, Will Smith dhe Chris Rock, duke thënë: “Sonte askush nuk do të goditet me flakaresh nën mbikëqyrjen time. Përveç nëse goditet në të pasme”.

Në mesin e të ftuarve që e hijeshuan qilimin e kuq të shtruar me rastin e kësaj ngjarjeje ishin disa prej yjeve më të njohur të industrisë së filmit si, Colin Farrell, Ana de Armas, Eddie Redmayne, Brian Cox, Florence Pugh, Catherine Zeta-Jones, Cynthia Erivo, Julianne Moore dhe Lily James.

Trashëgimtari i fronit, Princi William, i cili shërben si president i Akademisë Britanike të Filmit dhe Televizionit, po ashtu e ndoqi ceremoninë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Kate Middleton.

Helen Mirren i bëri homazhe gjyshes së Williamit, Mbretëreshës Elizabeta e Dytë, e cila vdiq në shtator të vitit të kaluar. Mirren, e cila e portretizoi monarken e ndjerë në ekran në filmin “The Queen”, dhe në skenë në shfaqjen “The Audience”, e quajti Elizabetën “prijëse të kombit”.

Akademia në këtë edicion të fundit erdhi me disa ndryshime për ta rritur diversitetin në mesin e të nominuarve dhe personave të shpërblyer, kjo pasi në kaluarën mori kritika të mëdha për faktin se asnjë grua nuk ishte nominuar për kategorinë “Regjia më e mirë” për të shtatin vit radhazi, dhe 20 personat e nominuar në kategoritë kryesore dhe dytësore i takonin racës së bardhë. Këtë vit ishin 11 regjisore femra të nominuara për çmime në të gjitha kategoritë, duke përfshirë filmat dokumentarë dhe të animuar.

Ceremonia u hap me performancën e yllit të filmit “West Side Story”, Ariana DeBose, e cila e interpretoi këngën “Sisters are Doin’ it for Themselves”. Ajo e kishte shtuar një pjesë në interpretimin e saj që kishte për qëllim t’i nderojë aktoret e nominuara sivjet, si Michelle Yeoh, Cate Blanchett dhe Viola Davis.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Film

Marketing