Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Pas sukseseve dhe pjesëmarrjes nëpër një sërë festivalesh të njohura ndërkombëtare, prej së enjtes të kësaj jave, filmi nën regji të Bujar Alimanit, “Virgjëresha shqiptare”, do të nisë rrugëtimin nëpër kinematë gjermane. Në një format të dubluar, filmi pritet të shfaqet edhe në njërin prej kanaleve më të njohura televizive “ZDF”.
Një test para audiencës në Gjermani, qe premiera gjermane në Köln, ku jeton edhe një numër i madh i shqiptarëve. Filmi i cili në gjermanisht mori titullin “Luanas schwur” në ditën dytë të shkurtit mbushi plot sallën e “Cinenovas”, ndërsa tash në itinerar ka kinematë e disa prej qyteteve më të njohura e më të mëdha gjermane, përfshirë Stutgartin, Münchenin, Ulmin, Bonnin, Dusseldorfin, Heidelbergun, Nurenbergun e të tjerë.
“Filmi ‘The Albanian Virgin’ prej datës 9 do ta kemi edhe nëpër kinematë e tjera gjermane dhe pas asaj do të ketë edhe projeksionin televiziv ku filmi do të shfaqet gjithashtu në një version të dubluar në gjermanisht. Pas kësaj presim me shumë ngazëllim që shumë shpejt të dalë edhe në platforma online, që filmi të përçohet dhe të ketë mundësi të shikohet edhe nëpër shtete e kontinente të tjera, gjë për të cilën kemi punuar fort dhe mezi po e presim”, ka thënë aktorja nga Kosova, Rina Krasniqi, e cila me rolin e Luanës është kryepersonazh i filmit.
Producentja e filmit, Anita Elsani, ka konfirmuar se filmi do të shfaqet në kanalin televiziv “ZDF ARTE”.
Me skenar të Katja Kittendorf, filmi trajton një temë tejet autoktone që në rend të parë lidhet me fenomenin e burrneshave e pastaj, pothuajse paralelisht me të, me temën e gjakmarrjes. Shpërfaq realitetin patriarkal pa gjykuar, duke e vënë publikun përballë figurës së femrës shqiptare të kohëve të vështira të jetës zakonore në Kosovë e Shqipëri.
Premiera botërore ishte dhënë në tetorin e vitit 2021 në kuadër të edicionit të 37-të të Festivalit të Filmit në Varshavë të Polonisë, si bashkëprodhim i Gjermanisë, Belgjikës, Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas sinopsisit, historia zë vend në vitet ‘50 e ‘60, kohë që shumëfishon vështirësinë e ekzistencës së femrës që bart dëshirat, vendimet dhe ëndrrat. Të gjitha këto i portretizon përmes personazhit kryesor, Luanës, së cilës martesa “tashmë e kryer” ia mohon dashurinë për Agimin, si bindje ndaj kërkesave të babait të saj. Pasi kupton se në ligjin e Kanunit fitojnë vetëm burrat, ajo edhe bëhet e tillë./rtk/