Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Përdorimi i substancave narkotike në vend vazhdon të mbetet një shqetësim serioz, me një rritje të theksuar të përdorimit të kokainës, sidomos në mesin e të rinjve.
Sipas të dhënave nga Klinika e Psikiatrisë, një numër i madh i pacientëve që kërkojnë trajtim për varësi janë përdorues të kokainës, ndërsa mosha mesatare e tyre ka rënë në 16 vjeç. Në disa raste janë evidentuar edhe përdorues më të rinj.
Psikiatrja Samire Gashi Braina ka theksuar se janë regjistruar raste të hershme të varësisë, përfshirë edhe një rast të mëparshëm të një fëmije 9-vjeçar me varësi nga heroina, çka e ka bërë trajtimin tejet të vështirë.
Ekspertët vlerësojnë se një ndryshim i dukshëm është fakti që përdoruesit fillestarë po kalojnë drejtpërdrejt në kokainë, duke shmangur substancat që më parë konsideroheshin më të zakonshme për fillim.
Kokaina, si substancë psiko-stimuluese, krijon varësi të shpejtë dhe ka efekte të rënda në sistemin nervor qendror, duke shkaktuar çrregullime psikotike dhe dëmtime serioze të organeve jetike, të cilat në raste të caktuara mund të përfundojnë me pasoja fatale.
Ndërkohë, autoritetet lokale kanë ngritur shqetësimin për rritjen e përdorimit të narkotikëve edhe në institucionet arsimore, ku janë evidentuar raste të nxënësve të moshës 12 deri në 14 vjeç që eksperimentojnë me substanca narkotike.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës për vitin e kaluar, janë regjistruar një numër i konsiderueshëm rastesh që lidhen me narkotikët. Gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar mbi 24 kilogramë kokainë, më shumë se një ton marihuanë dhe mijëra bimë kanabisi.