Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në linjën hekurudhore Prishtinë–Pejë ekzistojnë disa vendkalime ku treni kryqëzohet me rrugë për automjete, ndërsa shumë prej tyre për vite me radhë kanë funksionuar pa sinjalizim adekuat ose barriera sigurie. Kjo linjë është në funksion për rreth 20 vjet dhe aksidentet në këto pika kanë qenë të shpeshta.
Një nga vendkalimet më të rrezikshme ndodhet në Pejë, ku për më shumë se një dekadë qarkullimi është zhvilluar pa shenja paralajmëruese ose ndalesa sigurie. Një tjetër pikë me rrezik të lartë është edhe vendkalimi në fshatin Ujmirë të Klinës.
Kryetari i fshatit Ujmirë, Sokol Krasniqi, thotë se banorët kanë kërkuar disa herë vendosjen e barrierave, pasi treni qarkullon dy herë në ditë dhe nuk ka sinjalizim për drejtuesit e automjeteve. Sipas tij, megjithëse nuk ka pasur viktima, incidente janë shënuar disa herë.
Ndërkaq, hetuesi i aksidenteve hekurudhore Martin Halilaj thekson se barrierat vendosen kryesisht në vendkalime me frekuentim të lartë të automjeteve, pasi instalimi i tyre ka kosto të konsiderueshme.
Infra Kosova, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, ka nisur vendosjen e barrierave që nga korriku i vitit të kaluar. Deri më tani janë instaluar tri barriera në vendkalimet më kritike, ndërsa gjatë vitit 2025 planifikohet vendosja e edhe tetë barrierave të tjera, me një kosto totale që arrin deri në 300 mijë euro.