Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Perceptimi i kohës tek fëmijët është ende një fushë pak e studiuar, por studiuesit bien dakord se fëmijët e përjetojnë kohën ndryshe nga të rriturit. Për ta, ditët, javët dhe vitet duken më të gjata, ndërsa tek të rriturit koha shpesh kalon “pa u ndier”.
Sipas psikologëve, fëmijët nuk e kuptojnë kohën në mënyrë lineare, siç e kuptojnë të rriturit përmes orës dhe kalendarit. Ata e lidhin kalimin e kohës kryesisht me emocionet dhe përvojat. Aktivitetet e mërzitshme u duken më të gjata, ndërsa ato argëtuese më të shkurtra.
Studimet tregojnë se ndjenja e kalimit të kohës nuk lidhet drejtpërdrejt me moshën, por me gjendjen emocionale. Kur një person është i lumtur dhe i angazhuar, koha kalon më shpejt; kur është i stresuar, i mërzitur apo në rutinë, koha zvarritet.
Ekspertët theksojnë se rutina, mungesa e risive dhe fokusi i tepruar tek e ardhmja bëjnë që koha të përjetohet më shpejt tek të rriturit. Ndërkohë, përvojat e reja, aktivitetet kreative dhe ndryshimi i rutinës mund të ndihmojnë në “ngadalësimin” e perceptimit të kohës.
Në fund, shkenca sugjeron se mënyra më e mirë për ta përjetuar kohën më plotë është të krijojmë më shumë kujtime dhe të jetojmë më shumë në moment – një aftësi që fëmijët duket se e zotërojnë natyrshëm.