Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Një çift nga Mbretëria e Bashkuar dhe Rumania është gjobitur dhe dëbuar nga qyteti i Venecias, pasi u kap duke notuar në Kanalin e Madh, një veprim i ndaluar rreptësisht nga autoritetet.
Sipas policisë lokale, 35-vjeçari britanik dhe e dashura e tij 25-vjeçare rumune u ndaluan pranë urës Accademia, pas denoncimit nga gonxholierët, dhe u dënuan me 450 euro gjobë secili, ndërsa iu vendos masa e dëbimit 48-orësh nga qyteti. Çifti u kthye menjëherë në Mbretërinë e Bashkuar, vetëm një ditë pas mbërritjes.
Këshilltarja e Sigurisë së Venecias, Elisabetta Pesce, falënderoi gonxholierët për reagimin e shpejtë dhe theksoi se qyteti duhet mbrojtur nga ata që e trajtojnë pa respekt. Ajo rikujtoi se mbrojtja e Venecias nënkupton ruajtjen e qytetit për banorët dhe turistët që e vizitojnë me qytetari.
Që nga fillimi i vitit, autoritetet kanë dhënë 1,136 urdhra dëbimi për sjellje të pahijshme dhe incidente që lidhen me keqmenaxhimin e turizmit, prej të cilave rreth 10 raste kanë qenë për not në kanale.
Venecia, e cila përballet vazhdimisht me sfidat e mbingarkesës turistike, ka vendosur rregulla të reja për të frenuar abuzimet, përfshirë pagesën prej 10 eurosh për vizitorët ditorë në periudhat e ngarkuara, ndalimin e grupeve më të mëdha se 25 persona dhe kufizimin e përdorimit të altoparlantëve.
Larja në kanalet e Venecias është e ndaluar jo vetëm për shkak të trafikut të lartë të varkave, por edhe për arsye higjienike, pasi cilësia e ujit nuk është e përshtatshme për not.