Bitcoin ka kaluar kompaninë Amazon, duke u bërë aktivi i pestë më i madh në botë, me një kapitalizim tregu prej 2.41 trilionë dollarësh, teksa çmimi i tij kaloi 123,000 dollarët.
Në renditje, tani ndodhet pas arit, Nvidia-s, Microsoft-it dhe Apple-it për nga vlera totale. Analistët e lidhin këtë rritje me rrjedhën e fortë të investimeve institucionale në ETF-të e bitcoin-it në SHBA, sinjale pozitive nga politikat fiskale dhe një likuiditet më i mirë në ekonominë globale.
Vetëm gjatë javës së fundit, ETF-të e bitcoin-it kanë tërhequr 3.7 miliardë dollarë neto, duke reflektuar një kërkesë në rritje nga investitorët institucionalë. Po ashtu, pritet me interes Java e Kriptomonedhave në Kongresin Amerikan, ku do të diskutohet për legjislacionet kyçe si Clarity Act dhe GENIUS Act.
Analistët theksojnë se një ulje e mundshme e normës së interesit nga Rezerva Federale mund ta çojë çmimin e bitcoin-it në 130,000 deri në 150,000 dollarë.
Sipas Bernstein, bitcoin mund të arrijë 200,000 dollarë deri në fillim të vitit 2026, duke nënvizuar se ky treg rritjeje është më shumë i nxitur nga adoptimi institucional sesa spekulimet e tregut të vogël.
Megjithatë, rreziku mbetet, për shkak të ndjeshmërisë së tregut me pakicë, rrjedhjeve të paqëndrueshme në ETF dhe rregulloreve të mundshme kufizuese.