Pishina e Gërmisë do të qëndrojë e mbyllur deri të shtunën, për shkak të kryerjes së analizave shtesë të ujit dhe testimit të pompave të filtrimit. Këtë e ka bërë të ditur ndërmarrja publike “Sportmarketing”, e cila menaxhon hapësirat e rekreacionit në parkun e Gërmisë.
Sipas njoftimit, ky vendim është marrë “për hir të korrektësisë ndaj qytetarëve të kryeqytetit dhe vizitorëve në përgjithësi”, duke theksuar se testimet janë pjesë e rregullt e procedurave të sigurisë dhe mirëmbajtjes.
“Do të kryejmë edhe njëherë analizat e ujit, ashtu siç kemi vepruar vazhdimisht, dhe do të testojmë pompat e filtrimit sipas udhëzimeve të përcaktuara”, thuhet në njoftim.
Kjo ndërmarrje ka thënë është e hapur ndaj kritikave dhe sugjerimeve nga qytetarët, me qëllim përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve për vizitorët, mirëpo ka shprehur keqardhje për, siç e ka quajtur, “presionin publik nga persona me agjendë të caktuar”.
“Është për keqardhje presioni publik nga persona të caktuar dhe me agjendë, duke përdorur edhe media të caktuara për të dëmtuar imazhin e ndërmarrjes. Ky presion dhe këto dezinformata, po aq i dëmshëm për ndërmarrjen tonë, është poashtu në dëm edhe të qytetarëve dhe Kryeqytetit në përgjithësi”, thuhet më tej në njoftim.
Pishina e Gërmisë ishte hapur vetëm pak ditë më parë për qytetarët, derisa pati ankesa për sasi të mjaftueshme të ujit në pishinë.
RTK