Google padyshim mbledh shumë të dhëna përdoruesish nga telefonat Android, megjithatë, një gjykatë në Kaliforni ka vendosur që gjigandi i teknologjisë duhet t’u paguajë 314.6 milionë dollarë përdoruesve në këtë shtet amerikan për “keqpërdorim” të të dhënave të tyre.
Bëhet e ditur se përdoruesit ngritën një padi kolektive në vitin 2019 duke përfaqësuar afërsisht 14 milionë banorë të Kalifornisë.
Padia pretendon se Google mblodhi të dhëna nga telefonat joaktivë Android pa leje, shkruajnë mediat e huaja.
Këto të dhëna me sa duket u mblodhën për qëllime reklamimi, ndërsa në të njëjtën kohë interneti celular i përdoruesit u përdor në proces.
Avokati Glen Summers tha se vendimi “justifikon fuqimisht meritat e këtij rasti dhe pasqyron seriozitetin e sjelljes së keqe të Google”.
Një zëdhënës i Google tha se vendimi “keqinterpreton shërbimet që janë kritike për sigurinë, performancën dhe besueshmërinë e pajisjeve Android” dhe shtoi se kompania do të apelojë.
Përfaqësuesit e Google i thanë gjykatës se përdoruesit kishin dhënë pëlqimin për këto transferime të të dhënave si pjesë e kushteve dhe politikave të saj të privatësisë.
Ajo pretendon se asnjë përdorues Android nuk u dëmtua nga këto praktika.
Ndryshe, kjo nuk është e vetmja padi për këtë çështje.
Një padi e veçantë e ngritur në emër të 49 shteteve të tjera ngre të njëjtat pretendime dhe pritet të dalë në gjyq në prill 2026.