Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
8 Maji – Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe: “Ta mbajmë gjallë humanitetin”
Sot, më 8 maj, shënohet Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, një datë që nderon kontributin e jashtëzakonshëm të miliona vullnetarëve dhe profesionistëve humanitarë në mbarë botën. Motoja e këtij viti është: “Ta mbajmë gjallë humanitetin”, një thirrje e fuqishme për solidaritet, dhembshuri dhe mbështetje për njerëzit në nevojë.
Kjo ditë na kujton përkushtimin e palëkundur të punonjësve dhe vullnetarëve që, shpeshherë në kushte të rrezikshme dhe sfiduese, veprojnë për të shpëtuar jetë, për të ruajtur dinjitetin njerëzor dhe për të sjellë shpresë aty ku ajo mungon.
Sipas mesazhit zyrtar të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe:
“Çdo ditë, në komunitete anembanë botës, vullnetarët dhe stafi i organizatave tona zgjedhin të qëndrojnë në anën e njerëzimit. Në këtë 8 maj, ne nderojmë përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm ndaj komuniteteve që i shërbejnë, parimeve që përfaqësojnë dhe njerëzve që ndihmojnë dhe mbrojnë.”
Kjo datë është zgjedhur për të përkujtuar lindjen e Henry Dunant, themeluesit të Kryqit të Kuq dhe fituesit të parë të Çmimit Nobel për Paqe. Dita e Kryqit të Kuq u shënua për herë të parë në vitin 1948, ndërsa që nga viti 1984, njihet zyrtarisht si Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Në këtë ditë të veçantë, ftojmë të gjithë qytetarët të reflektojnë mbi rëndësinë e veprimit humanitar dhe të kontribuojnë, secili sipas mundësive, për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më solidare.