
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Një kompani e specializuar në zbulimin e hershëm të zjarreve ka zhvilluar një dron të ri me inteligjencë artificiale, i cili pritet të përshpejtojë procesin e zbulimit, lokalizimit dhe monitorimit të flakëve.
Droni Silvaguard, i krijuar nga kompania Dryad Networks, u prezantua të enjten në Eberswalde, pranë Berlinit, në një kohë kur zjarret e shkaktuara nga temperaturat ekstreme dhe ndryshimet klimatike po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më vdekjeprurëse në mbarë botën.
Droni është i pajisur me kamera infra të kuqe dhe punon në kombinim me sistemin e zbulimit të zjarreve Silvanet, të zhvilluar më herët nga kompania dhe që tashmë është në përdorim në disa vende. Silvanet funksionon me sensorë gazi të fuqizuar nga dielli, të cilët mund të zbulojnë zjarret që në fazën e parë të tymosjes, duke u lidhur përmes një rrjeti pa tel.
Çdo sensor mbulon një sipërfaqe sa një fushë futbolli dhe mund të vendoset në një pemë. Plani është që, sapo Silvanet të zbulojë një zjarr, të aktivizojë dronin Silvaguard, i cili do të fluturojë automatikisht drejt vendndodhjes dhe do të ofrojë imazhe të detajuara.
“Sot pamë në veprim kombinimin e Silvanet — sensorëve diellorë që zbuluan zjarrin brenda pak minutash — me Silvaguard, prototipin e parë të një droni autonom me inteligjencë artificiale, i cili u dërgua për të monitoruar zjarrin,” tha Carsten Brinkschulte, CEO dhe bashkëthemelues i Dryad Networks.
Sipas tij, droni fluturoi në mënyrë autonome drejt vendndodhjes së sensorit, identifikoi zjarrin dhe dërgoi video infra të kuqe dhe optike nga pika e zjarrit.
Kompania është ende në pritje të miratimit nga autoritetet për përdorimin komercial të dronit Silvaguard.
Informacioni i mbledhur nga droni, përfshirë koordinatat gjeografike, videot dhe imazhet infra të kuqe, do t’u dërgohet menjëherë ekipeve të zjarrfikësve, duke i ndihmuar ata të përcaktojnë me saktësi përhapjen dhe përmasat e zjarrit, si dhe numrin e nevojshëm të forcave të emergjencës.
“Kur bëhet fjalë për zjarret pyjore, koha është vendimtare – sa më shpejt të reagohet, aq më mirë,” theksoi Brinkschulte.