Fituesja e 3 çmimeve GRAMMY dhe 7 çmimeve BRIT, Dua Lipa, ka nisur fazën e turneut të saj botëror “Radical Optimism” në Australi dhe Zelandën e Re, duke sjellë një produksion të ri.
Koncerti i parë në Melbourne shënoi fillimin e një serie prej pesë netësh në qytet, para se të zhvendoset në Sydney dhe Auckland.
Me një skenografi dinamike dhe vizualizime magjepsëse, Dua hapi koncertin me “Training Season” dhe “End Of An Era”, për të vijuar me hitet e saj si “Break My Heart” dhe “One Kiss”. Ajo surprizoi publikun me një interpretim akustik të këngës “Maria”.
E rrethuar nga një unazë zjarri, Dua u ngrit në ajër ndërsa performonte “Love Again” dhe “Anything For Love”, ndërsa mbylli spektaklin me hite si “Don’t Start Now” dhe “Houdini”, duke dhuruar një performancë elektrizuese për publikun e zjarrtë.
Pak para nisjes së turneut, Dua dhe JENNIE publikuan bashkëpunimin e tyre të ri, “Handlebars”, shoqëruar me një videoklip të realizuar nga BRTHR.
Albumi “Radical Optimism”, i publikuar më 3 maj 2024, u rendit në vendin e parë në 12 shtete dhe shënoi debutimin më të madh të një artisteje britanike në Mbretërinë e Bashkuar për vitin 2024.
Në SHBA, albumi u rendit i pari në Billboard’s Top Album Sales dhe i dyti në Billboard 200, duke shënuar javën më të madhe të shitjeve për Dua Lipën deri më tani.
Turneu do të përfshijë netë të shumta në qytete të mëdha, përfshirë dy koncerte të shitura plotësisht në Wembley Stadium në Londër dhe katër netë në Madison Square Garden në Nju Jork dhe Kia Forum në Los Anxhelos.