Reperi Snoop Dogg ka humbur më shumë se 500,000 ndjekës Instagram dhe pothuajse 20,000 në X pas performancës së tij në “Crypto Ball”, një ceremoni festive para inaugurimit të presidnetit të SHBA-së Donald Trumpi.
The New York Post ka shkruar se Snoop Dogg, i cili kishte 88.1 milionë ndjekës në Instagram deri të hënën, pa rënie prej 571,800 ndjekësish, ndërsa në X humbi 17,177 ndjekës, pasi shumë fansa e kanë akuzuar atë për hipokrizi, duke ia kujtuar kritikën e tij të mëparshme ndaj Trumpit.
Përveç Snoop Dogg, edhe disa personalitete të tjera të famshme kanë humbur ndjekës për shkak të lidhjes së tyre me Trumpin.
Ylli televiziv Kim Kardashian ka humbur rreth 150,000 ndjekës pas postimit të një fotografie të Melania Trumpit, gruas së presidentit, duke e konsideruar veshjen e saj në inaugurimin e Trumpit të stiluar bukur.
Performanca e Snoop Dogg më 17 janar ka shkaktuar reagim të madh në rrjetet sociale, sipas firmës së marketingut “Viralyft”, e cila ka analizuar rënien e ndjekësve. Kritikët kanë theksuar se qëndrimi i tij i mëhershëm kundër Trumpit, dhe tani performamca në ngjarje të tilla, ka krijuar dyshime mbi motivet financiare pas kësaj.
“Po dridhem dhe po qaj ndërkohë që po ia bëj ‘unfollow’ Snoop Doggut në të gjitha platformat”, ka shkruar një përdorues në X duke shtuar një emoji me fytyrë të trishtuar.
Një tjetër ndjekës ka pyetur “si mund të na kthehej kundër?”.
Ndërsa një tjetër ka theksuar se “kërkoj të bëj ‘unfollow’ këdo tjetër që performon për Trumpin. E dua shumë Snoop Dogg, por tani duhet ta lë”.
Në përgjigje të kritikave, vet Snoop Dogg ka komentuar në llogarinë e tij në Instagram.
“Ju nuk mund të më urreni mjaftueshëm. Unë ndjej shumë dashuri ... Prapë jam një njeri me ngjyrë, prapë 100% i zi”, ka thënë ylli.
Në mënyrë të ngjashme, artistë të tjerë si Nelly dhe Carrie Underwood gjithashtu morën pjesë në ceremoni të lidhura me inaugurimin, duke treguar se disa artistë përpiqen të ndajnë politikën nga angazhimet e tyre profesionale.
“Donald Trump? Ai nuk ka bërë asgjë të keqe për mua. Ka bërë vetëm gjëra të mira për mua. Ai ka amnistuar Michael Harris”, pati thënë Snoop Dogg për Trumpin në vitin 2020.
Michael “Harry O” Harris, bashkëthemelues i kompanisë “Death Row Records”, kishte qenë në burg për një dënim të gjatë për trafikim droge dhe tentativë vrasjeje, dhe Trumpi e pati amnistuar gjatë mandatit të tij të parë. Snoop Dogg ishte një nga ata që lobuan për lirimin e Harris.
Një tjetër shembull është Kim Kardashian, e cila ka lobuar për Trumpin për të amnistuar Alice Marie Johnson, e cila kishte vuajtur dënimin për shitje droge.