Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
KESCO ka njoftuar se ftohja e kohës ka rezultuar me rritje të menjëhershme të kërkesës për energji elektrike, e cila po përdoret për ngrohje.
Përmes një njoftimi, KESCO thotë se ditët e para të nëntorit tregojnë një rritje të kërkesës për rreth 18 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
KESCO iu ka bërë thirrje qytetarëve për kursim maksimal të rrymës.“Kur ende nuk kemi hyrë në dimër, kërkesa ka shkuar në mbi 1100 megavat për orë në kohë pikut.Por, konsumatorët duhet ta kenë parasysh që Kosova ka tarifa që e nxisin kursimin e energjisë elektrike. Pra, sa më pak harxhojnë, aq më pak paguajnë jo vetëm si sasi, por edhe si çmim”, thuhet në njoftim.
KESCO u ka rikujtuar qytetarëve se çmimet janë dukshëm më të larta për shpenzimin mbi 800 kWh.
“Tarifat janë të ndara në dy blloqe kryesore sa i përket shpenzimit: deri në 800 kWh dhe mbi 800 kWh. Çmimet janë dukshëm më të larta për shpenzimin mbi 800 kWh. Prandaj, konsumatorët duhet ta kenë parasysh këtë dhe ta kursejnë maksimalisht energjinë elektrike.Evitimi i ngrohjes me energji elektrike është shumë i këshillueshëm për hapësirat e banimit ku kjo është e mundshme.Por, aty ku nuk është e mundshme, ndër metodat e kursimit është përdorimi i pajisjeve efiçiente, sikurse edhe përdorimi i ngrohjes në mënyrë efiçiente, duke mos krijuar temperatura shumë të larta”, thuhet në njoftim.
Tutje KESCO ka theksuar se gjatë krizës energjetike, shumë vende evropiane e patën kufizuar temperaturën e brendshme të mos jetë gjatë dimrit mbi 19 gradë celsius.
“Kjo temperaturë llogaritet që ofron ngrohje të mjaftueshme për njeriun gjatë dimrit. Gjithashtu duhet të ngrohen vetëm hapësirat ku qëndroni e jo edhe ato ku nuk qëndroni. Izolimi i hapësirave të banimit është një hap tjetër i rëndësishëm që kursen rrymën që përdoret për ngrohje”,thuhet tutje në njoftimin e KESCO-s.