Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve ka lansuar të hënën platformën për Punësim të të rinjve “Super Puna” me të cilin synon punësimin e 10 mijë të rinjve në vit. Në këtë ceremoni përveç ministrit Hekuran Murati kanë marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe diplomatë të huaj të akredituar në Kosovë.
Projekti “Super Puna” siç u tha ofron mundësi punësimi për të rinjtë dhe subvencionim të pagës të punëtorit dhe për bizneset.
“Qeveria jonë në vazhdimësi ka hartuar e përkrahur politika të cilët synojnë nxitjen e punësimit dhe qasje më të lehtë në tregun e punës dhe këtë ta bëjmë për të gjithë, pa dallim. Kjo ka të bëjë edhe me drejtësi – sepse nevojitet drejtësi në qasje e trajtim në shoqëri, përveç se në salla gjyqi e në reformën e sistemit të drejtësisë”, deklaroi Kurti.
Ai tha se vitin e kaluar, qeveria ka zbatuar skema të cilët kanë pasur synim punësimin e grupeve të ndryshme shoqërore: gratë, personat me aftësi të kufizuara, e me familjet të cilat nuk kanë asnjë anëtar të punësuar.
“Përmes masës 1.3 u punësuan afër 5000 gra e vajza. Përmes masës 1.6 u punësuan 239 persona me aftësi të kufizuara. Ndërkaq përmes skemës “Qeveria për Familjet”, 770 familje u bënë me një anëtar të punësuar. E nga sot, po fillojmë pilotimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë. Nëpërmjet saj, Qeveria do të subvencionojë 264 Euro pra në lartësinë e pagës minimale që ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe atë për për 6 muajt e parë të punësimit”, deklaroi Kurti.
Lansimi i platformës “superpuna” angazhim i kamotshëm i ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve, sipas Kurtit, është njëkohësisht edhe dhe konkretizim i përkushtimit të Qeverisë në rritjen e punësimit të të rinjve dhe mbështetjen e punëdhënësve tanë si dhe e shënon përmbushjen edhe të një tjetër premtimi për qytetarët e Republikës.
“Duke u ofruar të rinjve mundësinë për të fituar përvojë të vlefshme pune dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre, ne po ndërtojmë një fuqi punëtore të aftë, e cila do ta rrisë ekonominë e vendit. Ndërkohë, po vazhdojmë mbështetjen ndaj sektorit privat në angazhimin e fuqisë së re punëtore, e cila ka të gjithë potencialin që të bëhet motor i zhvillimit të këtij sektori”, deklaroi kryeministri.
Rininë në Kosovë, sipas tij, është aset i të tashmes. “E kemi edhe potencial të së ardhmes. Kujdesi, vëmendja dhe investimi ynë në ta sot, është angazhimi, kontributi dhe investimi i tyre në vendin tonë nesër”, deklaroi ai.
Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati tha se premtimi ishte për punësim për të rinjtë dhe kjo po behet efektive. “Synimi është që në vitin e parë të ofrojmë mbështetje dhe punësim deri për 10 mijë vende për moshat 18-26 vjeç. Kemi bërë një platformë automatike dhe kohë reale. Ky projekt ka integrime me institucionet përkatëse”, deklaroi Murati.
Murati tha se punësimi i të rinjve do të bëhet përmes një platforme të automatizuar dhe të integruar me agjencitë përkatëse qeveritare. Murati tha se platforma do të jetë online dhe do të jetë e qasshme për bizneset që kanë nevojë për punëtorë, si dhe për të rinjtë që kanë nevojë për punë.
“Pilotimi i projektit do të jetë në mbështetje për gjashtë muaj për secilin të ri që punësohet në tregun e punës me subvencionimin e pagës minimale prej 264 euro”, tha ai./rtk/