Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Me fillimin e vitit të ri shkollor në Austri ka hyrë në fuqi ligji që ndalon mbajtjen e shamisë islame nga vajzat nën moshën 14-vjeçare në shkollat publike dhe private.
Ligji ndalon mbulesat tradicionale myslimane të kokës, përfshirë hixhabin dhe burkën, ndërsa qeveria austriake thotë se masa synon mbrojtjen e barazisë gjinore dhe të drejtave të vajzave.
Ministrja për Integrim, Claudia Bauer, ka deklaruar se shamia përfaqëson një formë presioni dhe kontrolli ndaj vajzave që në moshë të hershme.
Megjithatë, ligji ka shkaktuar kundërshtime nga organizatat myslimane dhe disa grupe të shoqërisë civile, të cilat thonë se masa kufizon lirinë fetare dhe mund të nxisë diskriminim ndaj komunitetit mysliman.
Komuniteti Islam në Austri ka paralajmëruar se do të mbështesë sfidat ligjore nga familjet që konsiderojnë se u janë shkelur të drejtat themelore.
Sipas ligjit, mësuesit duhet fillimisht të zhvillojnë biseda me nxënëset dhe kujdestarët e tyre. Në rast të shkeljeve të përsëritura, familjet mund të përballen me gjoba deri në 800 euro.
Debati për mbajtjen e shamisë në shkolla vazhdon të jetë i pranishëm në disa vende evropiane, me qëndrime të ndryshme mes atyre që e shohin si masë mbrojtëse dhe atyre që e konsiderojnë kufizim të lirisë fetare.