Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Një rishikim i ri shkencor ka gjetur se duhanpirësit që duan ta lënë duhanin mund të kenë më shumë sukses nëse përdorin cigare elektronike me nikotinë.
Ekipi i Cochrane analizoi 80 studime, me rreth 30 mijë pjesëmarrës, dhe zbuloi se cigaret elektronike me nikotinë ishin më efektive se metodat tradicionale, si ngjitëset, çamçakëzët me nikotinë dhe programet mbështetëse.
Sipas analizës, rreth 6 në 100 persona arrijnë ta lënë duhanin me metodat tradicionale, ndërsa me cigaret elektronike me nikotinë numri rritet në rreth 10 në 100.
Cigaret elektronike me nikotinë rezultuan gjithashtu më efektive se ato pa nikotinë. Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten më shumë të dhëna për të krahasuar efektivitetin e tyre me ilaçin kundër duhanit, citizinën.
Ekspertët theksojnë se vaping-u nuk është pa rrezik, por konsiderohet dukshëm më pak i dëmshëm sesa pirja e cigareve tradicionale. Megjithatë, rreziqet afatgjata të vaping-ut ende nuk janë plotësisht të qarta.
Studimi është fokusuar te cigaret elektronike të rregulluara dhe të kontrolluara nga autoritetet. Ekspertët paralajmërojnë se produktet e paregjistruara mund të përmbajnë substanca të dëmshme dhe paraqesin rreziqe shtesë.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se pirja e duhanit shkakton më shumë se 7 milionë vdekje në vit në mbarë botën.
Studiuesit theksojnë se lënia e duhanit ul ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës, kancer të mushkërive dhe goditje në tru.