Mbi 1 mijë punonjës të kompanive më të mëdha të inteligjencës artificiale dhe teknologjisë kanë kërkuar që zhvillimi i AI të ecë më ngadalë, në mënyrë që masat e sigurisë të mund të përparojnë krahas teknologjisë.
Në një letër të hapur drejtuar qeverisë amerikane, ekspertët kërkojnë krijimin e mekanizmave ndërkombëtarë që do të ndihmonin në kontrollimin dhe menaxhimin e zhvillimit të sistemeve të avancuara të AI.
Mes nënshkruesve janë figura të njohura nga kompani si OpenAI, Anthropic, Google dhe Meta, përfshirë edhe drejtues e bashkëthemelues të disa prej këtyre organizatave.
Kërkesa vjen pas shqetësimeve në rritje për aftësitë e sistemeve të reja të AI. OpenAI së fundmi ka bërë të ditur se disa modele testuese kishin arritur të anashkalonin kufizime të caktuara gjatë eksperimenteve.
Ekspertët paralajmërojnë se zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale mund të ecë përpara aftësisë së njerëzve për ta kuptuar dhe kontrolluar atë, duke kërkuar më shumë kohë për krijimin e rregullave dhe masave mbrojtëse.