Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar se Kosova ka shënuar përmirësim në Indeksin vjetor të Lirisë së Medias të publikuar nga Reporterët pa Kufij.
Sipas raportit të publikuar të enjten, Kosova renditet në vendin e 84-të në botë me 55.89 pikë, duke shënuar një rritje prej 3 pikësh krahasuar me vitin e kaluar, pas një rënieje të theksuar më herët.
Megjithatë, raporti evidenton një sërë sfidash të vazhdueshme. Përmendet roli joefektiv i rregullatorit të mediave, Komisionit të Pavarur për Media (KPM), si dhe fakti që reforma ligjore për këtë institucion është shpallur jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.
Reporterët pa Kufij vlerësojnë gjithashtu angazhimin e gjyqësorit për trajtimin prioritar të rasteve që lidhen me gazetarët, por theksojnë se shumë prej tyre përballen me padi strategjike (SLAPP) nga grupe biznesesh dhe aktorë politikë.
Raporti nënvizon se, pavarësisht presioneve dhe sulmeve politike, gazetarët në Kosovë vazhdojnë të luajnë një rol kyç në mbajtjen përgjegjëse të institucioneve. Megjithatë, ata shpesh janë target i fushatave denigruese dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale.
Ndër çështjet e tjera të ngritura janë edhe bojkoti i disa mediave nga Qeveria para zgjedhjeve të vitit 2025 dhe shqetësimet për ndikimin politik në transmetuesin publik RTK.
Në përfundim, raporti thekson se, ndonëse tregu medial në Kosovë është i larmishëm, zhvillimi i tij mbetet i kufizuar për shkak të madhësisë së tregut dhe ndarjeve etnike, ndërsa liria e medias vazhdon të përballet me sfida të shumta strukturore dhe politike.