Më 27 janar, bota e muzikës kujton lindjen e Wolfgang Amadeus Mozartit, një nga kompozitorët më të mëdhenj të historisë. I lindur në Salzburg, Mozarti tregoi talent të jashtëzakonshëm që në fëmijëri, duke kompozuar pjesën e tij të parë në moshën katërvjeçare dhe simfoninë e parë në moshën tetëvjeçare.
Gjatë jetës, ai arriti mjeshtëri të plotë në tri zhanret kryesore të operës së shekullit XVIII: opera seria, opera buffa dhe Singspiel. Kryeveprat e tij si Dasma e Figaros, Don Giovanni, Così fan tutte, Idomeneo dhe Flauti Magjik mbeten kulme të operës evropiane dhe vazhdojnë të interpretohen në skena botërore.
Dekada e tij e artë në Vjenë (1781–1791) solli bashkëpunimin legjendar me libretistin Lorenzo Da Ponte, duke krijuar disa nga veprat më të rëndësishme të repertorit klasik. Në vitet e fundit, Mozarti kompozoi vepra të pavdekshme si Simfonia nr. 40, Koncerti për klarinetë, Ave Verum Corpus dhe Requiem, i cili mbeti i papërfunduar në momentin e vdekjes së tij në vitin 1791.
Muzika e tij, e krahasuar shpesh me veprën e William Shakespeare-it për thellësinë dramatike dhe universialitetin njerëzor, vazhdon të frymëzojë breza të tërë. Sot, më shumë se 260 vjet pas lindjes, trashëgimia e Mozartit mbetet e gjallë në koncerte, filma, letërsi dhe kulturën popullore.