Paris Hilton ka folur hapur për një nga plagët më të mëdha të jetës së saj, duke rikthyer në vëmendje publikimin pa pëlqimin e saj të kasetës intime në vitin 2004. Në një fjalim të mbajtur më 22 janar në Capitol Hill, krah kongresmeneve Alexandria Ocasio-Cortez dhe Laurel Lee, Hilton mbështeti Aktin DEFIANCE, i cili synon të mbrojë viktimat e përmbajtjeve seksuale të krijuara ose të manipuluara me inteligjencë artificiale.
Hilton e cilësoi ngjarjen e së kaluarës si një formë të rëndë abuzimi, jo si “skandal”, duke përshkruar pasojat emocionale dhe shkatërrimin publik që përjetoi. Ajo sqaroi se nuk përfitoi financiarisht nga publikimi i videos, ndërsa shumën prej 400 mijë dollarësh që mori nga ish-partneri Rick Solomon e dhuroi për bamirësi.
“Sot qëndroj këtu pa turp: jam një grua, një nënë dhe një e mbijetuar. Ajo që më ndodhi ishte e gabuar dhe do të vazhdoj të flas për çdo vajzë dhe çdo grua”, u shpreh Hilton.
Në autobiografinë e saj Paris: The Memoir (2024), ajo rrëfen se ishte nën presion për realizimin e videos dhe se për të përballuar traumën konsumoi alkool dhe qetësues.