E ardhmja e Robert Lewandowskit te FC Barcelona mbetet në pikëpyetje, teksa kontrata e sulmuesit polak skadon në verën e ardhshme dhe ende nuk ka sinjale të qarta për rinovim.
Sipas raportimeve të BBC-së, 37-vjeçari ka nisur bisedime me klubin e MLS-së, Chicago Fire, duke hapur një skenar të ri për vazhdimin e karrierës së tij jashtë Evropës. Raporti thekson se për klubin amerikan nuk ekzistojnë pengesa financiare për realizimin e një transferimi të tillë.
Chicago Fire është i njohur edhe për faktin se për rreth dy vite ishte pjesë e tij Xherdan Shaqiri, çka e ka bërë klubin një destinacion tërheqës për emra të mëdhenj nga futbolli evropian.
Megjithatë, MLS nuk është alternativa e vetme për Lewandowskin. Interesim konkret për shërbimet e tij kanë shfaqur edhe klube nga Turqia dhe Arabia Saudite, kampionate që në vitet e fundit kanë tërhequr yje me përvojë të madhe ndërkombëtare. Pavarësisht këtyre zërave, një qëndrim te Barcelona nuk është përjashtuar.
Lewandowski u transferua nga Bayern Munich te Barcelona në vitin 2022 për rreth 42 milionë euro. Që nga mbërritja në “Camp Nou”, ai ka regjistruar 164 paraqitje zyrtare, duke shënuar 109 gola dhe 22 asistime, shifra që konfirmojnë ndikimin e tij të madh në skuadrën katalanase.
Megjithatë, sipas burimeve pranë klubit, Barcelona ka nisur kërkimin për një sulmues të ri, i cili në të ardhmen pritet ta zëvendësojë polakun, pavarësisht dëshirës së tij për të qëndruar edhe më tej në Katalonjë.