Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 50% e shqiptarëve të grupmoshës 30-79 vjeç vuajnë nga hipertensioni, duke e vendosur vendin mbi mesataren globale. Në total, afro 800 mijë persona janë të prekur nga kjo sëmundje.
Hipertensioni, i njohur si “vrasësi i heshtur”, shpesh nuk shfaq shenja klinike, por lidhet drejtpërdrejt me sëmundjet kardiovaskulare që përbëjnë 53% të vdekjeve në botë. Ndër faktorët kryesorë ndikues janë mosha, diabeti, duhani, mungesa e aktivitetit fizik dhe mbipesha.
Vetëm 11% e pacientëve të diagnostikuar në Shqipëri arrijnë ta mbajnë nën kontroll presionin e gjakut. Të dhënat tregojnë se 63% e të prekurve janë gra dhe 37% burra.
Ekspertët paralajmërojnë se ndërhyrja e hershme dhe ndryshimi i stilit të jetesës mbeten thelbësore për parandalimin e pasojave të rënda që shkakton hipertensioni.